Tuesday, January 8, 2013

Jeta luksoze e vajzës që i vodhi paratë babait

-Shkëlqim Buziu, babai i 18-vjeçares hajdute, Fatma, shpjegon për gazetën Panorama skemën e vjedhjes nga e bija. “Vajza vinte rrallë në shtëpi. Nuk është se e kisha me qejf dhëndrin e ri. Madje unë kam qenë kundër që vajza ime të merrte atë maskara për burrë (25-vjeçari Ismail Xhindi), por pasi mbaroi shkollën e mesme ajo iku nga shtëpia nuk më ngeli veçse të thosha se e kam fejuar vajzën”, deklaron Shkëlqimi. Sipas tij “truri” i vjedhjes është bashkëjetuesi i vajzës. “Ai e ka detyruar vajzën time që të vjedhë paratë e hallës së saj. Madje unë e akuzoj atë palaço (Xhindin) se ai vetë e ka hapur kasafortën dhe i ka marrë lekët dhe frangat, por i ka bërë presion vajzës time që të mos tregojë të vërtetën dhe ta marrë përsipër vjedhjen. Nuk ka mundësi që vajza ime ta ketë çmontuar vetë kasafortën se ajo është shumë e madhe dhe e rëndë”, deklaron ai. Në një rinumërim të lekëve, pasi e motra i kishte dhënë që t’iu bashkëngjiste edhe ca franga, ai ka konstatuar mungesën e shumave të mëdha. “Menduam që t’i numërojmë edhe njëherë të gjitha paratë e motrës sime duke i veçuar nga disa kursime të miat si peshkatar. Kur përfunduam numërimin, u shokova. Kontrollova mirë e mirë kasafortën dhe pashë se asaj i ishin çmontuar vidat nga poshtë. Gati fillova të marr fund si rob dhe fillova të vras mendjen se kush mund t’i kishte marrë. Atëherë nisa të mendoj për jetën e sime bije muajt e fundit; asnjëri prej tyre nuk punonte, por ama kishin marrë një apartament në qendër të Durrësit dhe e kishin mobiluar si shtëpi pasanikësh, hyje me mend e dilje pa mend.