Thursday, March 14, 2013

“Dersi” i Ali Ahmetit ofendon myslimanët

imageBarsoleta e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ose siç e quajnë ndryshe “dersi” i Ali Ahmetit, sipas teologëve është herezi. Ndërkaq, BFIM nuk dëshiron të komentojë asgjë
Në tubimin në Gostivar, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti tregoi një barsoletë për fenë.
“Iku njëri për atë botë dhe e pyesin natën e gjykimit, sepse ai kërkonte të shkojë në parajsë, në xhenet. Dhe e pyetën engjëjt, çka ke bërë ti për të shkuar në parajsë, xhenet? Tha: unë kam falë pesë vakte namaz, kam falë ramazan, kam qenë në haxh. Ore zotëri i thanë, këto i ke bë për vete. Çka ke bë ti që ta shohin hairin të tjerët? Atëherë tha: unë nuk kam bë gjë që të ma shohin hairin të tjerët. Atëherë i thanë: hyn pak këtu te katrani, provoje”, tha Ahmeti. Më pas pasuan të qeshurat.
Kjo barsoletë e Ahmetit, ose siç e quajnë ndryshe “dersi” i Ali Ahmetit, sipas teologëve është herezi
 “Në këtë rast vetë barsoleta është heretike, pasi falja, agjërimi, bamirësia ndaj njerëzve janë pjesë e fesë, por jo njëra në llogari të tjetrës. Është keqpërdorim i situatës dhe futje në tema që nuk i kanë hije një njeriu të thjeshtë e të mos flasim për lider politik që përfaqëson një pjesë të madhe të popullit shqiptar, të cilët i përkasim fesë islame dhe janë myslimanë”, tha për “Lajm”, teologu Bekir Halimi.
Ai thotë se kjo është edhe ne kundërshtim me porosinë e kryetarit të BFIM-së, i cili apeloi që të mos keqpërdoren objektet fetare dhe feja për marketing politik.
Ndërkaq, BFIM nuk dëshiron të komentojë asgjë në lidhje me këtë. “BFI nuk komenton asgjë. Ato janë fushatë dhe le të bëjnë ç’të duan. Ne nuk komentojmë asgjë”, tha Afrim Tahiri, sekretar i BFIM.