Tuesday, March 19, 2013

Gjyqtaret kosovare që po e rrisin shikueshmërinë!

Futbolli kosovar numëron pesë gjyqtare në të gjitha kategoritë, por dy janë më të veçanta. Bëhet fjalë për motrat nga Mitrovica, Fixhrie e Florie Sadiku. Ka pesë vite që ato ndajnë drejtësinë nëpër fushat e futbollit, fillimisht te juniorët e tani edhe në Ligën e Dytë. Dhe, nëse gjatë kësaj kohe është rritur numri i shikuesve nëpër stadiume, sigurisht një pjesë të fajit e kanë pikërisht ato, pasi bukuria e tyre është goxha joshëse. ‘Fixhi’ e ‘Flori’ siç i njeh shoqëria, fillimisht kishin nisur me atletikë në klubin e Trepçës. Duke parë se janë të zonjat për gjithçka, ato i kishin zgjeruar ‘rrënjët’, duke filluar të merren edhe me referim, por jo edhe me futboll. “Gjithmonë e kam dashur referimin dhe sot jam gjyqtare prej pesë vitesh. Ma merr mendja që di të referoj mirë. Futbolliste kurrë nuk kam ëndërruar të jem edhe pse kam mundur, pasi nuk dëshiroj ta deformoj trupin dhe t’i përngjaj djemve”, u shpreh fillimisht ‘Fixhi’ për “Sport”, mendimi i së cilës në të shumtën e rasteve gjente përkrahje nga motra më e vogël me apo pa dëshirë.