Thursday, March 7, 2013

Murinjo: Kristiano Ronaldo, Më I Mirë Se Pele E Maradona


Zhoze Murinjo është i bindur se Kristiano Ronaldo është futbollisti më i mirë në historinë e futbollit botëror dhe sipas tij, ai ka bërë një mrekulli duke dhënë një paraqitje të shkëlqyer në ish-stadiumin  tij, “Old Traford”.
“Kjo ndeshje nuk ishte e lehtë për të. Edhe unë jam kthyer në “Stemford Brixh” dhe nuk ishte aspak e lehtë. U ktheva në Oporto dhe nuk ishte e lehtë. Një ditë do të kthehem në “San Siro” për të luajtur kundër Interit dhe nuk do të jetë e lehtë, ashtu siç nuk do të jetë e lehtë kur të kthehem një ditë në “Santiago Bernabeu” për të luajtur kundër Realit”, u shpreh trajneri portugez për “ITV”.
“Unë kam parë Maradonën të luajë disa herë, nuk kam parë kurrë Pele. Por Kristiano është i pabesueshëm, ai është më i miri. Megjithatë, as ai nuk mund të fitojë i vetëm, pasi çelësi i çdo gjëje është ekipi”, u shpreh trajneri i Realit.
“Nuk kemi thënë asnjëherë se Kristiano është përgjegjës kur humbet një ndeshje dhe kurrë nuk mund të mendojmë se është ai i vetmi që e fiton atë. Pa atë, nuk mund të thuhet se ekipi nuk ka vlerë, por ky ekip nuk është i njëjti kur mungon ai”, ishte vlerësimi i trajnerit portugez për yllin e Real Madrid.
Në fund, një batutë edhe mbi të ardhmen e vetë Murinjos, ku ai konfirmoi se Anglia vazhdonte të ishte destinacioni i tij i preferuar.
“Anglia do të jetë me shumë mundësi vendi i punës i radhës, por nuk di të them se kur, nuk mund të flas me saktësi”, tha ai.