Monday, March 4, 2013

Persona Të Maskuar Sulmojnë Me Thikë Një Vajzë Shqiptare Në Shkup

Persona të maskuar sulmojnë me thikë një vajzë shqiptare në Shkup


Shkup, 4 mars – Një vajzë shqiptare e moshës 16 vjeçare është lënduar me thikë në afërsi të shkollës “Dimitar Vllahov”. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10 të mëngjesit kur dy persona të maskuar, së pari e kanë shtyrë vajzën në thera dhe njëri prej tyre e ka lënduar me thikë. Rastin e konfirmon edhe zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja në afërsi të shkollës nuk ka patur policë. Vajza është dërguar menjëherë në Spitalin e Shkupit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë, ndërsa policia njofton se është në kërkim të autorëve, raporton Gazeta Koha.
Kjo është hera e dytë që sulmohet vajza e njëjtë nga persona të panjohur. Herën e parë ajo kishte kaluar më lehtë. Ndryshe, ky nuk është sulmi i parë i maskave me thika ndaj nxënësve shqiptarë, ditë më parë prerje me thikë në fytyrë iu shkaktuan edhe një nxënësi shqiptar të moshës 13 vjeçare. Nga ana tjetër në shkollën “Dimitar Vllahov” ditë më parë u rrahën disa nxënës nga Haraçina të cilët përfunduan me lëndime të rënda në spital. MPB gjithashtu njofton se një rast tjetër të ndodhur të dielën në mbrëmje 8 persona e kanë rrahur një djalë në afërsi të kinemasë Butel.