Monday, April 22, 2013

Bayerni gjen formulen si te ndalet Messi

Capture
Ditën e martë, ora 20:45, në "Alianz-Arena" do zbresin në fushë 1 miliard e 35.5 milionë euro (431.7 milionë Bayerni; 603.8 milionë Barça) dhe dy kampionët, përkatësisht të Gjermanisë dhe Spanjës.

Në prag të megaduelit kundër Messi & Co, të gjithë bavarezët janë të karikuar në maksimum, sidomos Arjen Robben, i cili kërkon të justifikojë gabimet e finaleve të së kaluarës. Mesfushori holandez e vlerëson në maksimum këtë ndeshje, inkurajon shokët dhe paraqet recetën se si duhet ndalur Barcelona dhe në veçanti "truri" i tyre, Lionel Messi.

"Jemi në ndjekje të një serie, së cilës do t'i qëndrojmë besnikë deri në fund. Fitoret dhe golat na kanë motivuar e forcuar së tepërmi gjatë kësaj kohe, aq sa asnjë rival nuk ka mundur të gjejë recetën e duhur për të na ndalur. Madje, mendoj se as nuk kanë për ta gjetur. Tani jemi në pritje ndoshta të ndeshjes më të bukur të vitit. Për sfida të këtij niveli ëndërron çdo profesionist. Në këtë situatë që ndodhemi, jemi në gjendje të ndëshkojmë çdo kundërshtar në botë, sigurisht edhe Barcelonën", nënvizoi Robben, i cili si ish-madrilen shpalos edhe recetën kundër spanjollëve dhe se si të ndalin Messin.

"E njoh mirë Barcelonën që nga koha kur luaja te Reali. Aftësitë e tyre teknike dhe taktika nuk ua mohon njeri, por mbi të gjitha kanë stil holandez. Katalanasit nuk duhen mbivlerësuar. Sigurisht që kujdesi duhet të jetë më i madh në krahasim me ndonjë rival tjetër. Çelësi i suksesit në këtë ndeshje është të luajmë në grup, ashtu siç kemi bërë deri tani. Mesi është lojtari më i mirë në botë dhe atë duhet ta çekuilibrojmë së bashku. Loja jonë ofensive dhe defensive dallon nga e tyrja, diferenca do duket në këtë përballje direkte. Ne jemi Bajerni dhe kemi marrë të gjitha masat për të evituar surprizat", analizoi Robben.