Monday, May 13, 2013

Vëllezërit Xhabali denjësisht përfaqësuan Kosovën në Çeki

8-takewondo-
Lubjanë, 13 Maj
Kosova ka një diasporë e cila llogaritet të jetë shumë e madhe edhe pse ende nuk kemi statistika që flasin për numrin e saj. Në shumë vende të Bashkimit Evropian diaspora shqiptare është integruar suksesshëm në shoqëri dhe merr pjese aktive në të gjitha poret e jetës. Në dekadën e fundit vihet re një rritje e numrit të rinjve shqiptarë që merren me sport në të gjitha vendet ku jeton diaspora jonë. Kështu është thënë në njoftimin e “Shoqatës shqiptaro-sllovene ‘Dardania’”. Suksesi i sportistëve nga diaspora është i madh në të gjitha sportet e në veçanti në sportet luftarake. Gjeneratat e reja janë te interesuara për këto sporte dhe rezultatet e tyre në ketë fushë nuk mungojnë, por duhet cekur se ata duhet të koordinohen më mirë me federatat e sportit kosovar për një paraqitje më të suksesshme nën flamurin e shtetit të Kosovës. Para pak kohe në Pragë të Çekisë u mbajt turniri i taekwondo-së “best of the best”, ku morën pjese 150 garues nga shumë shtete të bashkimit evropian, Azia dhe Ballkani. Edhe pse federata e Kosovës nuk është e pranuar në ketë asociacion, garuesit kosovar të cilët jetojnë në Republikën e Sllovenisë, vëllezërit Almir dhe Karanfil Xhabali nuk u penguan të merrnin pjesë në këtë turnir ndërkombëtar nën flamurin e shtetit të Kosovës. Ata në mënyrën dhe formën më të mirë e prezantuan në radhë të parë veten si sportist të dalluar dhe së dyti shtetin e Kosovës. Edhe pse federata e taekwondo-së e Kosovës ende nuk është e pranuar ndërkombëtarisht, zyrtar të këtij manifestimi ndërkombëtarë nuk hezituan të deklarojnë se pranimi i Kosovës ka gjasë të ndodh në të ardhmen nëse bëhet kërkesa për pranim. Te pranishëm në turnir ishin edhe zyrtarë të lartë të vendit nikoqir nga ministria e sportit, komuna dhe disa përfaqësues nga ambasadat e vendeve pjesëmarrëse. Po ashtu i pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe sekretari i ambasadës se Kosovës në Republikën e Çekisë z. Mjeku i cili pati edhe një fjalë përshëndetëse për të pranishmit. Me përkrahjen e shoqatës shqiptaro-sllovene “Dardania” nga Lubjana, Kosovën në këtë turnir vullnetarisht e përfaqësuan dy vëllezërit, Karanfil Xhabali 14 vjeçar dhe Almir Xhabali 12 vjeçar. Edhe pse në një konkurrence shumë të fortë në këtë garë sportistët shqiptar arritën rezultate të larta duke dëshmuar nivel të lartë dhe profesionalizëm në këtë lloj të sportit luftarak. Almiri zuri vendin e parë në kategorinë deri në 48 kg duke u stolisur me medaljen e artë, ndërsa në kata u rendit i dyti . Në kategorinë deri në 68 kg , Karanfili doli i dyti në luftëra dhe kata. Suksesi i këtyre garuesve tregon që rinia kosovare në diasporë ka forcë dhe potencial për të arritur në majat e sukseseve sportive, por që duhet një përkrahje dhe përkujdesje institucionale nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Diasporës . Miratimi i fundit i rregullores nga kjo ministri për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultatet kulmore në garat ndërkombëtare, si dhe rregulloren për mbështetjen e përhershme financiare të sportistëve, është motiv shtesë për të gjithë sportistët kosovar të cilët jetojnë në diasporë por që kanë shtetësi kosovare.