Tuesday, June 11, 2013

Vrau taksistin se i ngacmoi nënën, dënohet 12 vjet burg

aldo-morina-komandoja-300x240
Një efektiv i repartit “Komando” të Ushtrisë u dënua dje me 12 vite burg me akuzën e vrasjes së taksistit që i ngacmonte nënën. “Panorama”  shkruan sot se Gjykata e Tiranës vendosi këtë masë dënimi ndaj të pandehurit Aldo Morina, ish-efektiv komando, i cili u deklarua i fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje” në dëm të taksistit Mehmet Beqiri. Vrasja e taksistit u regjistrua më 1 janar 2013, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Në momentin e ngjarjes ai ishte në sediljen e parë të automjetit të tij taksi, ndërsa në sediljen e pasme ishte nëna e të pandehurit Morina, me të cilën viktima dyshohet të kishte pasur një lidhje intime në vitin 2007. Sipas Prokurorisë, pas një konflikti të ashpër verbal midis të dyve të shoqëruar edhe me fjalë të rënda nga ana e Beqirit, i pandehuri ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar disa herë drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend. Në vendimin e shpallur dje nga një treshe gjyqtarësh të kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo, i pandehuri përfitoi edhe uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. “Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, i pandehuri Aldo Morina dënohet përfundimisht me 8 vjet burgim”, u shpreh gjykata. I pandehuri u përlot dje kur trupi gjykues i kërkoi fjalën e fundit, para se të tërhiqeshin për vendim. “Nuk kam ç’them më. I tha avokati të gjitha”, tha i pandehuri, duke shtrënguar gishtat në sy. AVOKATI Avokati mbrojtës i Aldo Morinës pretendoi para trupit gjykues se klienti i tij nuk mund të gjykohej për “vrasje me dashje”. Përmes një materiali voluminoz, mbrojtësi tha se në momentin e ngjarjes, i pandehuri ka qenë në kushte të tronditjes së rëndë psikike, ose në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Duke vlerësuar integritetin e lartë moral dhe profesional të klientit të tij si ushtarak profesionist, pjesëmarrës në dy misione paqeruajtëse, mbrojtësi citoi deklarimet e dhëna nga Morina në lidhje me momentin e ngjarjes. “Mehmeti më shau rëndë. Më tha: Unë ta bëj nënën në syrin tënd. E pashë që po kërkonte diçka në kruskot. Aty e humba toruan. Nxora armën e shërbimit, e mbusha dhe qëllova disa herë”, citoi avokati deklarimet e Morinës. Mbrojtësi u shpreh se viktima Beqiri për vite me radhë kërcënonte nënën e të pandehurit se do t’i shuante familjen. Sipas avokatit, familjarët e Morinës i kanë kërkuar viktimës t’i ndërpresë këto kërcënime, por ai nuk ka ndaluar, as ditën e ngjarjes. Armand Bajrami/