Zbulohen fotot e jetës luksoze të çiftit të papunë me lekët e vjedhura. Shkëlqim Buziu tregon se si vajza dhe dhëndri, ‘m’i vodhën lekët në kasafortë’, dhe thotë se “do të hakmerrem ndaj dhëndrit”Zbulohen fotot e jetës luksoze të vajzës që vodhi miliona lekë në shtëpinë e babait, teksa ka pozuar me bashkëjetuesin e saj nëpër plazhe të ndryshme dhe nëpër lokale e restorante të shtrenjta. Ajo, një ish-nxënëse që përfundoi vitin e kaluar shkollën e mesme të Medresesë “Mustafa Varoshi” në Durrës dhe ai – një djalë me origjinë nga Skrapari, pa profesion dhe pa një punë stabël, po bashkëjetonin që nga korriku. Ata kishin marrë një shtëpi me qira në qendër të qytetit bregdetar, që më pas e kishin mbushur me mobilie moderne. Çifti Fatma Buziu 18 vjeçe dhe Ismail Xhindi 25 vjeç duket se kanë shpenzuar pa kriter paratë e vjedhura për 6 muaj me radhë, derisa në datën 3 janar janë pikasur nga i ati i vajzës, Shkëlqim Buziu. Babai nuk e ka miratuar asnjëherë lidhjen e së bijës me 25-vjeçarin, por kur është përballur me faktin e largimit të saj në një apartament të përbashkët me Ismail Xhindin, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të pohojë për rrethin shoqëror “se e ka fejuar vajzën”. Përveç fotove ekskluzive të pushimeve të çiftit hajdut, gazeta ka siguruar edhe dëshmitë në polici të personazheve kryesore të kësaj ngjarjeje. Më gjerësisht po publikojmë rrëfimin e Shkëlqim Buziut, i cili tregon se si e bija arriti t’i vidhte nga kasaforta 88 mijë franga zvicerane dhe 40 milionë lekë të vjetër. Sipas tij, kjo shumë i përkiste hallës së vajzës, e cila ia kishte dërguar kohë pas kohe Shkëlqimit nga Zvicra, që ky t’ia ruante në kasafortë.