Galatasaray ka ambicie të nxjerrë rezultat të favorshëm në Madrid sonte, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Turqit s’ia kanë frikën aspak Ronaldos me shokë. Ndërkohë, madrilenët do të mundohen t’i kryejnë llogaritë që në ndeshjen e parë, për të shkuar më të qetë në Stambollin e zjarrtë.
Përballja e sontme çerekfinale e Ligës së Kampionëve ndërmjet Real Madridit dhe Galatasarayt do t’i zgjojë ndjenjat e së shkuarës.
Jo vetëm për faktin se Jose Mourinho dhe Fatih Terim janë shokë të vjetër, por që trajneri portugez do të takohet me ish lojtarët e tij, Didier Drogba e Wesley Sneijder.
Madrilenët i kanë humbur pothuajse të gjitha shpresat për t’u shpallur kampionë në Spanjë, prandaj të gjitha forcat i kanë përqendruar në këtë eveniment.
Trajneri Jose Mourinho e kërkon gjysmëfinalen ndaj një ekipi të papërshtatshëm siç është gjiganti turk.