Wednesday, January 30, 2013

Arrestohen 5 shqiptarë të dyshuar për dëmtimin e varrezave serbe


Policia e Gjilanit dhe ajo e Vitisë përmes punëve të tyre operative dhe shumë profesionale dhe duke u bazuar në faktet dhe dëshmitë e gjetura kanë arritur të intervistojnë si persona të dyshuar për dëmtimin e varrezave serbe në Viti pesë të dyshuar, prej tyre vetëm një madhor dhe katër të mitur tha për “RajoniPress” Ismet Hashani.
Dëmtuesit e varrezave serbe në qytetin e Vitisë të ndodhura më 21 janar të këtij viti tashmë janë në duart e policisë. Ismet Hashani zëdhënës i policisë rajonale në Gjilan tha për “RajoniPress” se janë kapur dhe intervistuar pesë të dyshuar që të gjithë shqiptarë dhe nxënës të shkollave të mesme. Prej tyre vetëm njëri është madhor kurse katër të tjerë janë të mitur.
Hashani tha se ky operacion është kryer falë punës së mirë që kanë bërë policia në Gjilan dhe Viti dhe falë dëshmive e fakteve që janë grumbulluar në teren.
“Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rasti të shkojë në procedurë të rregullt në Gjykatë. Policia dyshon se këta mund të jenë kryesit e mundshëm të veprës penale”, tha Hashani.