Wednesday, March 20, 2013

Deshën ta shkyçin, e pret KEK-un me kallash

 Deshën ta shkyçin nga rrjeti i energjisë elektrike, mirëpo me kallash në dorë e zmbrapsi njësitin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Ngjarja ka ndodhur dje në fshatin Stapanicë të Malishevës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, mirëpo i dyshuari ka arritur të ikë bashkë me armën. Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë Rajonale në Prizren, ka deklaruar se, dje rreth orës 10 e 30 minuta, Policia e Malishevës ka pranuar një informatë përmes rrugëve operative e cila bënte me dije se një njësit i KEK-ut i përbërë prej katër personave, përderisa ishte në detyrë-ç’kyçje nga energjia elektrike- një i dyshuar me kallashnikov në dorë i ka kanos me qellim që të mos i ndërpritet energjia nga shtylla elektrike. Ai tha se Policia pasi ka arritur në vendin e ngjarjes është penguar tani nga prindi i të dyshuarit. Me këtë rast, patrulla ka kërkuar njësitë shtesë të cilat posa kanë mbërri e kanë vënë situatën nën kontroll dhe ndërkohë kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarve me ç’rast është sekuestruar një pistoletë e llojit V-Zor 70 e kalibrit 7.65 mm me gjashtë fishekë. I dyshuari me kallashnikov nuk është gjetur në shtëpi ndërsa policia i ka intensifikuar përpjekjet për kapjen e tij./Indeksonline/