Tuesday, March 19, 2013

Milionerja kineze punon si pastruese rrugësh

Një grua shumë e pasur kineze, milionere, i dedikon një pjesë të kohës së saj çdo ditë pastrimit të rrugëve me fshesë për t'i dhënë një shembull të mirë fëmijëve të saj që puna nuk përbën asnjë diskriminim. Yu Youzhen, 53-vjeçare nga Wuhan, zotëron 17 apartamente, që arrijnë një vlerë totale prej mbi 10 milionë juanë, ose mbi 1 milionë euro. Mund të bënte një jetë shumë të mirë vetëm me të ardhurat e përftuara nga dhënia me qira e tyre, por nga ana tjetër ka vendosur të punojë, duke u dhënë një shembull të mirë fëmijëve të saj dhe gjithë të tjerëve. “Dua të jem një model i mirë për fëmijët e mi dhe nuk dua të rri gjithë ditën ulur në një poltronë luksoze dhe të shpenzoj paratë e mia, por mbi të gjitha nuk dua t'iu jap fëmijëve të mi përshtypjen se jam një grua e cila kufizohet vetëm në marrjen e të ardhurave pa dhënë asnjë lloj kontributi”, theksoi ajo për shtypin kinez, transmeton Balkanweb. Prej vitit 1998 e deri më sot, në gjashtë nga shtatë ditët e javës, Yu pastron me fshesë nga një pjesë të rrugëve të qytetit të saj dhe fiton 1 420 juan në muaj, rreth 170 euro. Yu i ka shtyrë të dy fëmijët e saj, tashmë në moshë madhore, të gjejnë një punë dhe të mos mbështeten tek mirëqenia ekonomike e familjes. Djali i saj punon si shofer dhe fiton 2 000 juanë në muaj, rreth 240 euro, ndërsa vajza ka gjetur një angazhim që i siguron të ardhura prej 3 000 juanë në muaj, rreth 360 euro. Si shumë të tjerë në rajonin qendror të Kinës, Yu vjen nga një familje shumë e varfër dhe nuk e ka harruar asnjëherë origjinën e saj. Pasuria e saj filloi të akumulohej në vitet e 80-ta, kur së bashku me bashkëshortin e saj arriti të kursente një shumë të hollash për të blerë një ndërtesë prej pesë katesh, apartamentet e së cilës i dhanë me qira.