Sunday, March 10, 2013

Skandal! Ujërat e zeza anulojnë Shqipëri U-21- Angli U-23


Futbolli shqiptar ka mbërritur praktikisht në pikën e fundit të tij përsa i përket infrastrukturës sportive. Sikur të mos mjaftonte skandali i katër ditëve më parë kur ndeshja e kombëtares kundër Islandës u shty për disa minuta në mënyrë që të largohej uji nga terreni i stadiumit “Qemal Stafa” me mjete primitive, këtë radhë ujërat e zeza kanë pushtuar tërësisht stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, duke penguar zhvillimin e ndeshjes me Shqipërisë U-21 dhe Anglisë U-23.
Kjo miqësore e planifikuare prej shumë kohësh, pritej t’i jepte mundësinë kuqezinjve të tregonin vlerat e tyre përballë disa prej lojtarëve që aktivizohen në kampionatin anglez dhe shihen si futbollistë me të ardhme në kombëtaren e “tre luanëve”. Por një gjë e tillë nuk është bërë e mundur nga reshjet e shumta të shiut që kanë rënë në qytetin e Durrësit, duke sjellë bllokimin e kanalizimeve dhe shpërthimin e ujërave të zeza në fushën e stadiumit “Niko Dovana”.
Jo vetëm që terreni i stadiumit u bë i papërshtatshëm, por edhe ajri i rëndë përreth impiantit ka bërë që të ishte i pamundur zhvillimi i takimit në “Niko Dovana”, duke djegur mundësinë e kuqezinjve për të vënë veten në provë përballë një kundërshtari mjaft të fortë, edhe pse në një miqësore.
FSHF ka kërkuar që të zhvendosë ndeshjen në një impiant tjetër, atë të qytetit të Kavajës, duke u munduar që të zhvillojë ndeshjen aty, por këtë radhë pengesë është bërë mungesa e energjisë elektrike në stadiumin e këtij qyteti. Pavarësisht kontakteve të vazhdueshme me CEZ, kjo kompani nuk ka lejuar furnizimin me energji elektrike të stadiumit për shkak të borxheve të papaguara që ka ky impiant, e si rrjedhojë, ndeshja është anuluar përfundimisht, një skandal që nuk bën veçse njollos më shumë imazhin e futbollit shqiptar në botëSkandal! Ujërat e zeza anulojnë Shqipëri U-21- Angli U-23