Sunday, May 19, 2013

Mesazhi i shqiptareve nga Kosova per Madrilenet

Edhe në Kosovë kanë arritur reagimet e para, për transparentin e publikuar të disa tifozëve të Real Madridit në finalen e “Copa del Rey” në "Santiago Bernabeu", ku shkruhej "Kosova është Serbi".
Grupi i tifozëve “Forca” nga Vushtrria, gjatë pushimit në mes të dy pjesëve në ndeshjen e sotme Llamkos Kosova-Liria, kanë shpalosur një transparent ku shkruhej “Catalonia is not Spain” (Katalonia nuk është Spanjë), raporton veriu.info.
Në këtë ndeshje Llamkos Kosova fitoi me rezultat 4:0, si nikoqire në takimin e luajtur kundër Lirisë së Prizrenit. Ky takim është luajtur në kuadër të xhiros së 31-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll dhe ishte shumë i rëndësishëm për vushtrriasit, pasi që kjo fitore ua ka shtuar dukshëm gjasat për mbetje në elitën e futbollit kosovar.
Spanja është një nga vendet e BE-së që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, kurse para do kohësh ministri i tyre i jashtëm Jose Manuel Garsija ka deklaruar se edhe në të ardhmen nuk do të ndodh. Në atë ndeshje Atletico Madridi mundi Realin 2-1 pas kohës shtesë.