Tuesday, February 26, 2013

Mbreterit sundojne Camp Nou-n

Foto: Getty Images Real Madridi e ka turpëruar Barcelonën para tifozëve në Camp Nou duke e mposhtur me rezultat 3-1 në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës së Mbretit. Takimi i parë i zhvilluar në Santiago Bernabeu përfundoi me rezultat 1-1 dhe pas ndeshjes kthyese, Los Blancos kualifikohen në finale me rezultat të përgjithshëm prej 4-2. Ekipi vendas e zhvilloi pjesën e parë në mënyrën e vet duke dominuar me posedimin e topit, mirëpo rrezikshmëria e tyre përpara portës ishte shumë e zbehtë. Ndërkohë, mysafirët mbroheshin mirë dhe prisnin momentin për të sulmuar. Pas një ofensive të Cristiano Ronaldos, Gerard Pique e ndali në mënyrë të gabuar në zonë duke shkaktuar penalti. CR7 nuk e pati të vështirë që ta mposhtte Pinton nga pika e bardhë (13’).

Blaugranët u përpoqën ta impononin lojën e tyre edhe në fraksionin e dytë të lojës duke ndërtuar rast pas rasti, por lojtarët me fanella të bardha nuk thyheshin. Khedira dërgoi një top të gjatë drejt Di Marias, i cili la pas vetes Puyolin, goditi në portë, mirëpo Pinto e mbrojti për ta dërguar topin në këmbët e Cristiano Ronaldos, i cili vendosi se kush ishte finalisti i parë i Copa del Rey (57’). Për kënaqësinë e tifozëve mbretërorë shënoi Raphael Varane me kokë, pas harkimit nga këndi të Mesut Oezil (68’). Golin e nderit për vendasit e realizoi Jordi Alba në fund të takimit (90’). Asistimi ishte i Iniestas. Real Madridi pret në finale fituesin nga dueli ndërmjet Sevillas dhe Atletico Madridit. Ndërkohë, Barcelona shumë lehtë mund të mbetet vetëm në një garë (La Liga), duke qenë se është në disavantazh prej dy golash edhe në Ligën e Kampionëve