Sunday, February 24, 2013

Nuset vrasin vjehrrën me vaj të nxehtë(FOTO)

vrasja1 300x225 Nuset vrasin vjehrrën me vaj të nxehtë Nuset vrasin vjehrrën me vaj të nxehtë në vesh e më pas e groposin në kasollen e bagëtive. Ngjarja makabër ndodhi mesnatën e 12 shkurtit, në fshatin e largët Hotesh të Peshkopisë, por u zbulua vetëm paraditen e djeshme. Naime Skuka, 67 vjeçe, u bë pre e dy nuseve të shtëpisë, Xhemiles dhe Hikes, përkatësisht 25 dhe 23 vjeçe. Grindjet e vazhdueshme mes të zonjës së shtëpisë dhe nuseve të mbetura vetëm, pasi burrat i kishin në emigrim, i kanë shtyrë drejt këtij akti. Burime të Policisë thonë se përplasjet e vazhdueshme janë shkaku i ngjarjes tragjike, ndërsa burime të fshatit thonë se vjehrra mund të kishte pikasur veprime jo të moralshme për nuset e djemve. Askush nuk do ta kishte marrë vesh fatin e 67-vjeçares, nëse komshinjtë nuk do shprehnin habi për mungesën e saj, çka solli rrëfimin e ngjarjes nga nusja e madhe, Xhemilja. Krimi Autorja kryesore e vrasjes së vjehrrës ka qenë nusja e madhe, 25-vjeçarja Xhemile Skuka. Nëna e tre fëmijëve (më i vogli 4 muajsh), rreth orës 23:30 të së martës ka shkuar në dhomën ku flinte e vjehrra dhe i ka derdhur në vesh vaj të nxehtë. Me të ka bashkëpunuar dhe kunata 23-vjeçare, me qëllim fshehjen e këtij krimi. Trupi i vjehrrës është mbajtur në banesë deri sa ka kaluar mesnata dhe pa u gdhirë ende, duke iu fshehur fqinjëve, dy nuset e kanë tërhequr zvarrë 67-vjeçaren deri te kasollja e bagëtive, në pjesën fundore të shtëpisë së mirëmbajtur të familjes Skuka. Viktima është groposur në rreth 50 cm thellësi, siç ishte me rrobat e trupit. Asnjë shenjë nuk është dhënë për këtë ngjarje deri mëngjesin e djeshëm. Një fqinje e familjes ka shkuar për të vizituar Naimen. Kur ka hyrë në shtëpi, ajo është shprehur e habitur pse ajo nuk ndodhej brenda, ndërsa ka ndjerë erën e keqe të kufomës që po dekompozohej. Ajo ia ka thënë këtë fakt nuseve që jetonin në të njëjtën shtëpi dhe është larguar. Por, pikërisht kjo fjali ka sjellë dhe frikën te Xhemilja. Duke menduar se komshinjtë kishin pikasur se çfarë kishte ndodhur në banesë, ajo ka vendosur të shkojë në Polici për të treguar krimin. Në dëshminë e parë ka thënë se pas një grindjeje të çastit e ka gjuajtur me mjete të forta në kokë vjehrrën dhe më pas është ndihmuar nga kunata e vogël. Pak kohë më vonë, ekspertët e Policisë së Peshkopisë e kanë rikthyer në vendin e krimit, për të treguar trupin, çka ka bërë që 25-vjeçarja të japë variantin e djegies me vaj në vesh, ndërsa më pas e kanë lidhur dhe tërhequr deri te kasollja viktimën. Motivet Policia ka qenë e rezervuar për të dhënë shkaqet e ngjarjes, ndërsa dyshon se ka dhe persona të tjerë të implikuar në vrasjen dhe më pas groposjen e 67-vjeçares Naime Skuka. Vetë kunatat kanë treguar se kishin konflikte të vazhdueshme me vjehrrën, e cila ishte shumë autoritare. Por, banorët e zonës flasin se viktima u tërhiqte shpesh vëmendjen nuseve pasi kishte konstatuar se ato flisnin me persona të tjerë në fshat. Pjesëtarë të grupit hetimor thanë se fillimisht mes vjehrrës dhe dy nuseve ka pasur një konflikt me fjalë. Vjehrra ka guxuar t’u thotë atyre se do t’u tregonte djemve gjithçka lidhej me veprimet e nuseve gjatë kohës që djemtë ndodheshin në emigracion, në Greqi. Përpjekja e vjehrrës për t’i bërë zap dy nuset e djemve ka sjellë reagimin e tyre të ashpër, deri në flijimin e të zonjës së shtëpisë. Pritet që hetimet e mëtejshme për ngjarjen e rëndë të zbardhin dhe arsyet, ndërkohë që janë lajmëruar djemtë e viktimës të vinin nga Greqia. Policia ka arrestuar të dyja kunatat. Kasollja ku u gropos 67-vjeçarja Kasollja në të djathtë të fotos është vendi ku u gropos pas shkaktimit të vrasjes e zonja e shtëpisë së familjes Skuka. Dëshmitarët në vend thonë se ajo ishte tërhequr zvarrë, e lidhur me një litar. Pikërisht kjo mënyrë i ka shkaktuar asaj goditjet dhe shenjat që iu gjetën në trup. Naime Skuka ishte e ve, pasi i shoqi kishte vdekur vite më parë. Ajo ishte nënë e katër djemve, dy prej të cilëve ishin martuar me dy ekzekutoret e saj. Ekspertiza e kryer në trupin e 67-vjeçares ka treguar se vdekja mund t’i jetë shkaktuar nga djegia me vaj, ndërsa u gropos në thellësi gjysmë metri. Fqinjët Dëshmitarë okularë që ndoqën “zhvarrimin” e 67-vjeçares pohuan se e moshuara ishte groposur me rrobat që mbante çdo ditë dhe se kishte nisur dekompozimi i kufomës. “Trupi i Naimes kundërmonte një erë shumë të rëndë, erë që nuk e kishim nuhatur herë tjetër. Ajo çdo ditë dilte në oborrin e shtëpisë dhe kulloste bagëtitë. Mungesa e saj për disa ditë na habiti. Dje kuptuan se ato kishin ndërmarrë një akt të tillë kriminal”, kanë treguar për efektivat e Policisë së Peshkopisë banorë që kanë banesat e tyre afër familjes Skuka. Sipas tyre, mbytja dhe pastaj groposja për të humbur gjurmët është një akt shumë i rëndë, i padëgjuar në këto anë prej shumë dekadash. Fëmijët Të dyja nuset e reja të familjes Skuka kishin fëmijë disamuajsh. Mësohet se drejtuesit e spitalit të Peshkopisë kanë marrë nën kujdes dy fëmijët, atë të Xhemiles, vetëm 4 muajsh dhe të nuses tjetër, Hikes, 6 muajsh. Mësohet se nusja e vogël kishte vetëm një fëmijë, ndërsa e madhja tre. Dy më të mëdhenjtë janë marrë nga të afërm të familjes, deri në mbërritjen e babait të tyre. Nënat e reja ndodhen në qelitë e Komisariatit të Peshkopisë, ku po merren në pyetje për të nxjerrë shkaqet e sakta të krimit dhe nëse kanë pasur bashkëpunëtorë në këtë ngjarje tragjike. Edhe pse jetonin në një fshat të largët, kushtet ekonomike të familjes Skuka ishin të mira, nga puna në emigracion e dy djemve. Kryekomunari: Kishin grindje Sipas kryetarit të komunës Luzni, Ali Drenova, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Hotesh të kësaj njësie vendore. Kryekomunari sqaron se mosmarrëveshjet, grindjet dhe konfliktet mes vjehrrës dhe nuseve të djemve kanë vijuar prej kohësh, madje këtë gjë e dini dhe banorët e lagjes dhe ato të fshatit.