Saturday, June 8, 2013

I dyshuari si përdhunues varroset i gjallë

Koha dhe siguria e fakteve të kërkuara nga autoritetet për të dënuar një të dyshuar, shpesh sos durimin e komunitetit…dhe kjo është e rrezikshme kur ndodh në zonat indigjene të Bolivisë.
Rreth 200 banorë të komunitetit Quechua në provincën Colquechaca varrosën të gjallë një 17-vjeçar të dyshuar si autor i disa përdhunimeve të ndodhura në zonë. Autoritetet dyshonin se 17-vjeçari Santos Ramos përdhunonte e më pas vriste viktimat e tij në mënyrë që ato të mos e denonconin. Ai dyshohej për raste të përsëritura të krimit të tij.
Megjithatë, në mungesë të provave, policia lokale la të lirë të dyshuarin e saj, edhe pas rastit të fundit të përdhunimit dhe vrasjes së një 17-vjeçarje.
Kjo ka sosur durimin e banorëve vendas që në mungesë të drejtësisë nga autoritetet vendosën të veprojnë vetë. Ata bllokuan rrugën e vetme që lidh lokalitetin e tyre me zonat e tjera të vendit dhe nisën “gjyqin” ndaj të riut.
17-vjeçari u varros i gjallë poshtë arkivolit të asaj që dyshohej si viktima e tij e fundit, ndërkohë që policia u pengua nga banorët dhe nuk mundi të ndërhyjë për t’i shpëtuar jetën të riut.
Vetëgjyqësia komunitare është e rrallë në Amerikën Latine, megjithatë në Bolivi ka raste të saj. Në maj, dy të dyshuar si vrasës u ekzekutuan nga masa e xhindosur. Ata dyshoheshin se për të vjedhur një taksi, kishin vrarë drejtuesin e saj. Njëri u godit më gurë deri në vdekje, ndërsa tjetri u varros i gjallë